Ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, ka akuzuar kryetaren e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova, se e njëjta përmes veprimeve të saj ka shkelur të drejtat e tij të garantuara me Kushtetutën e Kosovës. Abuzimet me aktin më të lartë juridik nga ana e Trendafiloves, dyshohet se ndodhën kur ajo caktoi gjyqtarët e vetëm, të shërbejnë edhe si gjyqtarë paraprakë.
Konkretisht, Nicollas Guillou dhe Mariorie Masellot – të caktuar si gjyqtarë paraprakë, u ishin veshur edhe përgjegjësitë e një gjyqtari të vetëm në fazë të mëhershme të procedurës.
Specifikisht, sipas avokatëve të Thaçit është shkelur neni 33 i Ligjit për Dhomat e Specializuara, i cili thotë se “Kur ndonjë gjyqtar caktohet si gjyqtar i procedurës paraprake apo anëtar i ndonjë paneli për ndonjë çështje, ai nuk mund të jetë anëtar i ndonjë paneli tjetër në një fazë tjetër të së njëjtës çështjeje”, ashtu siç veproi kryetarja e Speciales, Ekaterina Trendafilova.
DOKUMENT:

Në këtë rol, këta gjyqtarë që kishin autorizuar përgjimet ndaj Thaçit, kishin pasur materiale sekrete, prova të tjera që as mbrojtja s’i kishte në disopozicion, ishin caktuar si vendimmarrës edhe në fazë paraprake – sipas mbrojtjes, në kundërshtim të plotë me Kushtetutën e Kosovës dhe Ligjin e Gjykatës Speciale.
“Kjo do të thotë se caktimi i një Gjykatësi të Vetëm duhet të përfundojë sapo çështjet konkrete në fjalë të mos kërkojnë më mbikëqyrje gjyqësore ose të transferohen te një Gjykatës i Procedurës Paraprake apo te një Trup Gjykues. Më pas, duhet të bëhet një caktim i ri sa herë që paraqitet një çështje tjetër që kërkon zgjidhje gjyqësore ad hoc. Është e mundur që të gjitha çështjet që lidhen me një hetim të caktuar të ZPS-së të trajtohen brenda një caktimi të vetëm të Gjykatësit të Vetëm. Megjithatë, Ligji për Dhomat e Specializuara të Kosovës (KSC) nuk lejon që çdo hetim i KSC-së të trajtohet nga një Gjykatës i Vetëm, i përhershëm”, thuhet në parashtresën e mbrojtjes se Thaçit.
DOKUMENT:

Ish-presidenti thotë se shkeljet përmes këtyre vendimeve, ia vështirësuan atij në masë madhe mbrojtjen.
“Kjo nuk ishte thjesht një shkelje teknike e kornizës ligjore të Dhomave të Specializuara të Kosovës. Ajo pati pasoja reale, veçanërisht mbi drejtësinë e procedurës. Gjykatësja e Procedurës Paraprake nuk ishte në gjendje të shërbente si një kontroll i mirëfilltë ndaj hapave që ishin ndërmarrë para caktimit të saj, pasi vetë kishte qenë e përfshirë në ato procese. Po ashtu, Gjykatësja e Procedurës Paraprake nuk mundi t’i qasej procedurës me një mendje të freskët”, thuhet në ankesë.
DOKUMENT:

Duke i konsideruar veprimet e këtyre dy gjyqtarëve si të paligjshme, pasi paligjshëm sipas tij u emëruan – ish-presidenti Thaçi pretendon se janë shkelur neni 31 i Kushtetutës së Kosovës, i cili flet për “Të Drejtën në Gjykim të Drejtë dhe të Paanshëm” si dhe neni 36 që flet për të Drejtën e Privatësisë – në këtë dytën, i referohet përgjimeve në Dhomën e Paraburgimit të të gjitha telefonatave, kompjuterëve e vizitave.
“Neni 36 i Kushtetutës mbron të drejtën e çdo personi që “jeta private dhe jeta familjare” e tij të respektohet, si dhe konfidencialitetin e korrespondencës, telekomunikimit dhe çdo komunikimi tjetër”, citojnë avokatët nenin e Kushtetutës.
Për të gjitha këto arsye, Thaçi i ka kërkuar Dhomës së Kushtetueses në Speciale që t’i shpallë të paligjshme kontrollet dhe përgjimet ndaj tij, e në këtë formë, ta rrëzojë në tërësi aktakuzën kundër tij në rastin ku ai akuzohet për pengim të drejtësisë.
DOKUMENT:
