Katër ditë para zgjedhjeve të jashtëzakonshme të 28 dhjetorit, Serbia është lëshuar në propagandë të hapjes së një “konkursi” për 300 vende të reja pune në sistemin shëndetësor ilegal në Kosovë. Në njoftimin e dhënë nga e ashtuquajtura Zyrë për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, thuhet se në janar të 2026-ës, do të jenë edhe 700 të punësuar tjerë.

“Ministria e Shëndetësisë e Qeverisë së Republikës së Serbisë sot ka shpallur një konkurs për 300 vende të reja pune në institucionet shëndetësore serbe në territorin e Kosovës. Njëkohësisht, është hapur edhe një konkurs për 50 vende të reja pune në institucionet shëndetësore në territorin e Kosovës, i shpallur më 22 dhjetor 2025”, thuhet në një komunikatë të lëshuar nga kjo zyrë.

Autoritetet serbe kanë lëshuar deklarata të ngjashme edhe në të kaluarën, përfshirë paralajmërimet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiç për hapjen e vendeve të reja të punës në prag të zgjedhjeve lokale të muajit tetor.

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti në tetor të vitit të kaluar kishte akuzuar Beogradin se po ndërhyn në zgjedhjet lokale në Kosovë duke premtuar vende pune e premtime financiare.