Gjykata Speciale, nëpërmjet Angela Griep, Udhëheqëse e Njësitit për Informacion Publik dhe Komunikim, e ka sulmuar sërish raportin e ekspertëve britanikë për shkeljet e të drejtave të akuzuarve në procesin ndaj ish-krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës – ndonëse nuk pati guxim të shkojë në konferencën ku po prezantohej raporti.

Në një përgjigje për VOX Kosova se pse përfaqësues të këtij institucioni nuk morën pjesë në prezantimin e raportit në Hagë ndonëse kishin ftesë, Griep tha se ata i kanë dhënë komentet e tyre, ndaj kanë konsideruar se nuk kanë pse shkojnë.

“Meqenëse këto çështje u trajtuan tashmë në deklaratën e 11 majit, Dhoma e Specializuar nuk ka komente të mëtejshme mbi këtë çështje”, ka thënë Griep.

Hulumtuesit Gus Waschefort dhe Lauren Lederle theksuan se koha e gjatë e marrjes në pyetje nga ana e gjyqtarëve, krahasuar me kohën që u jepej palëve mbrojtëse të ish-krerëve të UÇK-së ka qenë një nga problemet kryesore të procesit.

Kjo, sipas tyre, detyronte mbrojtjen të shpenzonte orë të tëra për të sqaruar çështje të ngritura nga gjyqtarët gjatë marrjes në pyetje të dëshmitarëve.

Ndërkohë, Prokuroria shfrytëzonte vetëm pak minuta për t’iu përgjigjur çështjeve të ngritura nga gjyqtarët.

Sipas hulumtuesve, kjo nënkupton mungesë të barazisë së armëve ndërmjet palëve, një parim i garantuar nga standardet ndërkombëtare të drejtësisë.

Në konferencë, hulumtuesit e BHRC-së përmendën edhe raste kur gjyqtarët, veçanërisht Guénaël Mettraux, kanë bërë pyetje sugjestive gjatë seancave gjyqësore.

Takimi i dhjetorit 2020 mes Ekaterina Trendafilovës dhe prokurorit Jack Smith me ambasadorë të Bashkimit Evropian u cilësua nga hulumtuesit britanikë si diçka e pazakontë.

Sipas tyre, deklarimet e bëra aty lidhur me lirimin ose jo të krerëve të UÇK-së përbëjnë cenim të parimit të prezumimit të pafajësisë.

Gjatë prezantimit të raportit u konstatua po ashtu se dokumentet e siguruara nga Serbia dhe pranimi i një pjese të madhe të tyre pa një procedurë të plotë testimi dhe verifikimi kanë qenë ndër kontestimet kryesore.

Hulumtuesit theksuan se pranimi i këtyre dokumenteve është problematik, duke pasur parasysh qëndrimin e Serbisë ndaj Kosovës. Sipas raportit të BHRC-së, Prokuroria ka përdorur rreth 2354 dokumente të siguruara nga Serbia.