Ekonomisti Edison Jakurti, ka deklaruar se numri i qytetarëve që kanë kërkuar leje-qëndrim për punësim në BE pas pandemisë është rritur për dy herë në krahasim me periudhën 2015-2019.
Nëpërmjet një grafikoni të postuar në llogarinë e tij në Facebook, Jakurti ka shfaqur numrat e kërkuesve të leje-qëndrimeve për të dy periudhat e që është 39,143 për periudhën 2015-2019 dhe 73,847 për periudhën 2020-2024.
“Gjatë periudhës 2015–2019, 39,143 qytetarë të Kosovës kanë marrë për herë të parë leje-qëndrim për punësim në BE. Pas pandemisë (2020–2024), ky numër pothuajse është dyfishuar, duke arritur në 73,847”, ka shkruar ekonomisti Jakurti.
Jakurti ka thënë se ky dallim drastik është sinjal që tregu i punës në Kosovë viteve të fundit nuk ka shënuar përmirësime sa i përket punësimit. Ai po ashtu ka thënë se shkalla e papunësisë ka rënë sepse është rritur numri i qytetarëve që kanë lënë vendin.
“Ky dallim kaq drastik është një sinjal i qartë se gjatë kësaj periudhe tregu i punës në Kosovë nuk ka shënuar përmirësime të dukshme sa i përket punësimit. Po ashtu, ai e konfirmon qartë edhe atë që dihet në mënyrë anekdotale: shkalla e papunësisë ka rënë në mënyrë drastike, sepse numri i largimeve të qytetarëve për të gjetur punë jashtë Kosovës është rritur në mënyrë rapide”, ka potencuar Jakurti.









