Sikurse ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, edhe ministrja e Drejtësisë, Donika Gërvalla, i ka ikur pyetjes së gazetarëve për gazin e lëngshëm natyror amerikan. Gërvalla, tha se “do të merren vendime bazuar në interesin e Republikës së Kosovës”, pa treguar nëse Qeveria është pro propozimit amerikan.

“Shikoni, ne kemi diskutime jo vetëm rreth por edhe rreth shumë temave të sigurisë me të gjithë aleatët tanë, jo vetëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikes edhe ne kemi treguar gjatë pesë viteve të fundit që me shumë përgjegjësi dhe me shumë seriozitet, jo vetëm që diskutojmë por edhe marrim vendimet bazuar në interesin e Republikës së Kosovës”, tha Gërvalla.

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka hedhur poshtë mundësinë që një infrastrukturë e Gazit të Lëngshëm Natyror Amerikan të ndërtohet në Kosovë. Sipas tij, një e tillë duhet të bëhet në Vlorë, e pastaj nga aty gazi të transferohet si energji elektrike në Kosovë.

“Republika e Kosovës ka gatishmëri që të investojë në Terminalin në Vlorë dhe paramendojeni një situatë kur për shembull ne kemi një përqindje të aksioneve si Republikë e Kosovës në Terminalin në Vlorë. Dhe aty mund të vijë gazi i lëngshëm prej jashtë, të shndërrohet në energji elektrike dhe me interkoneksionin prej 400 kiloëolt që kemi me Shqipërinë ta sjellim tek ne”, tha Kurti në intervistën e dhënë në RTK një ditë para zgjedhjeve.

Ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës i ka bërë thirrje Kosovës që t’i bashkohet projektit të gazit të lëngshëm natyror i cili vjen nga SHBA-të. Dhe atë, në formë urgjente në mënyrë që të shmanget varësia nga Rusia.

“Kosova duhet të veprojë shpejt për të realizuar këtë partneritet sepse ndërtimi i infrastrukturës së nevojshme do të kërkojë kohë. Eksportet e GNL -së amerikane pritet të dyfishohen deri në vitin 2030 dhe do të rrjedhin përmes projekteve rajonale si Korridori Vertikal i Gazit dhe terminali lundrues i gazit natyror në Kroaci. Kosova gjithashtu mund të lidhet me gazsjellësin që po ndërtohet për të lidhur terminalin e GNL -së në Aleksandrupolis në Greqi me Shkupin në Maqedoninë e Veriut”, thotë Ambasada.

Sipas Ambasadës, lidhja me një projekt gazjellësi në momentumin aktual do të shkurtonte afatin kohor dhe shpenzimet.