Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, është ankuar për valën e reagimeve popullore pas verdiktit të Gjykatës Speciale e cila dënoi me 81 vjet burg në total katërshën udhëehqeëse të UÇK-së, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Rexhep Selimin e Jakup Krasniqin. Sipas Haxhiu, “askush nuk i mbron ata duke shpallur aty për aty “spiunë” e “tradhtarë” kundërshtarët politikë”, “duke shënjestruar dëshmitarë” apo “duke kërkuar fajtorë mes qytetarëve të Kosovës”.
“Shënjestrimi me këto emërtime, në protesta, në emisione televizive dhe në postime publike, dje dhe sot riprodhon pikërisht logjikën e akuzës së ngritur ndaj drejtuesve të UÇK-së, etiketimin e kundërshtarit si armik dhe kthimin e tij në shënjestër. Kështu, në emër të mbrojtjes, i jepet fuqi vetë akuzës”, shkroi Haxhiu.
Siç shkroi Haxhiu në profilin e saj në Facebook, individët që kanë dëshmuar në Gjykatën Speciale, “kanë përgjegjësi individuale”.
“Prandaj, përpjekja për ta paraqitur një popull të tërë si burim “spiunimi” është e pavërtetë, fyese dhe e rrezikshme. Ajo mbjell frikë, nxit linçim dhe e shndërron dhimbjen në përçarje”, shtoi.
Të mërkurën e 16 dhjetorit, Gjykata Speciale dënoi me 25 vjet burg Hashim Thaçin e Jakup Krasniqin, 18 vjet Kadri Veselin e 13 Rexhep Selimin.









