Profesionistët shëndetësorë kanë paralajmëruar protestë më 21 nëntor, në orën 10:00, para Ministrisë së Shëndetësisë, me moton “Profesionistët shëndetësorë duam dinjitet”.
Besfort R. Racaj nga “Iniciativa “Për dinjitetin e profesionistëve shëndetësorë” në një konferencë për media ka bërë të ditur se vendimi për protestë vjen pasi Ministria e Shëndetësisë ka anuluar takimin e planifikuar me ta, vetëm dy ditë para mbajtjes së tij.
Sipas Racajt, pavarësisht anulimit, profesionistët shëndetësorë kishin ofruar edhe pesë ditë shtesë për të mundësuar një takim dhe për të gjetur zgjidhje përmes dialogut institucional, por deri në përfundim të këtij afati nuk kishin marrë asnjë ftesë.
Në deklarimin e tij ai ka thënë se mijëra profesionistë shëndetësorë vazhdojnë të përballen me papunësi, pasiguri dhe mungesë perspektive, ndërsa qytetarët presin me muaj të tërë për të marrë shërbime shëndetësore.
“Ndërsa ne të diplomuar, të licencuar, specialistë e profesionistë që kemi sakrifikuar vitet e rinisë për t’i shërbyer po këtij populli, sot detyrohemi të mendojmë për largim nga atdheu”, ka thene ai.
Racaj u ka bërë thirrje profesionistëve shëndetësorë, studentëve, stafit akademik, familjarëve të tyre dhe qytetarëve që t’i bashkohen protestës.
“Duam të ardhme në Kosovë, mos na mohoni mundësinë për ta ndërtuar atë këtu!”, thuhet në thirrjen për protestë që është shpërndarë edhe në facebook.









