Një kallashnikov i përdorur nga pjesëtarë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës është ekspozuar në Muzeun Kombëtar të Armëve në Britani të Madhe. Jonathan Ferguson, ekspert i armëve atje, ka shpjeguar për audiencën britanike historikun e këtij automatiku, rrjedhimisht historinë e luftës për liri të UÇK-së, akronim ky që është i gdhendur në anën e djathtë të armës.
“Rastësisht pashë në komente disa njerëz që e kishin vënë re këtë shenjë këtu në pjesën e përparme të drurit të pushkës, ose te mbrojtësja e poshtme e dorës, siç do ta quanim zakonisht. Kjo pushkë është prodhuar në vitin 1986, kjo ndoshta tashmë ju është shfaqur në ekran, dhe kjo shenjë është gdhendur shumë, shumë bruto, vetëm mbi llakun sipër drurit”, shpjegon fillimisht Ferguson.
“Duket të jetë UÇK — në fakt “UÇK”, besoj, dhe kjo është e vetmja fjalë shqipe që do të provoj të shqiptoj në këtë video — që në fakt qëndron për KLA, që mund të jetë më i njohur për ata të gjeneratës time, që ndiqnit lajmet e ngjarjeve të lidhura me këtë. Dhe siç vunë re disa komentues, pikërisht kjo është: KLA është Ushtria Çlirimtare e Kosovës. Kjo është një nga objektet e pakta moderne të këtij lloji në koleksion që ka ardhur me pak histori. Komentet e tjera, lloj pyetje-koment, kishin të bënin me atë se çfarë dimë për këtë, ose nëse Ian mund të kthehej dhe të zbulonte më shumë”, shton.
Si e përshkruan UÇK-në, Jonathan Ferguson?
“Po them “ishte”, megjithëse besoj se në një formë a tjetër ekziston ende, por ajo filloi si një ushtri etnike shqiptare që vepronte kundër qeverisë së Jugosllavisë në vitet ’90, dhe pastaj kur gjërat, për ta thënë butë, morën tatëpjetën dhe shpërtheu një luftë civile dhe shtetet nisën të shkëputeshin nga Jugosllavia që ekzistonte, ata pastaj luftonin kundër Republikës së Jugosllavisë, e cila më vonë u bë ose u riemërua si Serbia dhe Mali i Zi. Dhe ishte spastrimi etnik i shqiptarëve të Kosovës që çoi në ndërhyrjen e NATO-s në vitin 1999. Britania u përfshi fillimisht duke kryer sulme ajrore dhe më pas edhe në tokë si pjesë e forcës paqeruajtëse”, thotë ai.
Arma e ekspozuar e pjesëtarit të UÇK-së u mor pikërisht gjatë intervenimit të forcave britanike të NATO-s në vitin 1999 në Kosovë. Ajo nuk dihet se kujt i përket.








