Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka thënë se profesori Murat Jashari, që vjen nga Familja e Komandantit legjendar, Adem Jashari, do të ishte zgjidhja e duhur në momentin e duhur për President.

“Fillimisht ka qenë një pajtueshmëri se vendi ka nevojë për një figurë unifikuese. Një figurë e tillë e padiskutueshme për të gjithë sigurisht se do të ishte një kandidat nga familja emblematike Jashari”, tha Kurti gjatë mbledhjes së Këshillit të Përgjithshëm të Lëvizjes Vetëvendosje.

Këto komente të Kurtit, vijnë pasi që Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova, tregoi se nuk do të jetë kandidat për të parin e shtetit.

Por, bindja e Kurtit, siç thotë ai, ka qenë dhe vazhdon të mbetet se “një figurë e profesor e personalitet si Murat Jashari do të gëzonte mbështetje gjithë partiake”. “Do të ishte nder për Republikën, stabilitet për institucionin dhe siguri për kombin”.

Për President, ai ka theksuar se duhet një figurë, e cila “i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi”. “Rrethanat gjeopolitike nga lufta në Ukrainë, konflikti SHBA Iran dhe tensionet në Lindjen e Afërme dhe të Mesme, si dhe kërcënimet dhe sulmet e një pas njëshme nga Serbia përfshirë agresionin terrorist në Banjskë, sulmin në Kanalin Ibër Lepenc dhe kërcënimet e përditshme nga fqinji ynë verior kërkojnë një moment reflektimi dhe një figurë e cila i bën ballë shtrëngatave me të cilat mund të përballet vendi ynë”.

Në kohë të vështira, thekson ai, “ne gjithmonë kemi gjetur mbështetje dhe frymëzim të familja Jashari ashtu siç gjetëm në kohën e luftës në udhëheqjen e kryekomandantit Adem Jashari”. “Pra ky do të ishte dhe vazhdon të mbetet rasti ideal”.