Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, duke komentuar deklaratën e Presidentes Vjosa Osmani, se partitë politike nuk kanë qenë të gatshme që ta votojnë buxhetin e Prishtinës dhe RTK-së – duke bartur fajin nga partitë e ish-opozitës – ka treguar se i kishte propozuar presidentes që të votohet një pako për t’i dhënë zgjidhje këtyre çështjeve, por që nuk kishte marrë një përgjigje.

“Në mbrëmjen e nominimit të Glauk Konjufcës, i kam shprehur gatishmërinë Presidentes së vendit që të votohet një pako, e cila madje mund të quhej edhe Pako e Presidentes; me zgjatimin e buxhetit për 3 muaj, me votimin e Ligjeve të Prishtinës e Gjilanit, me sigurimin e pagave për RTK-në, si dhe me votimin e Pakos Evropiane të Rritjes”, shkroi Abdixhiku në Facebook.

Po atë mbrëmje, menjëherë pas mandatimit të Konjufcës, kreu i LDK-së tha se Presidentja e ka kontaktuar, duke i thënë se ka komunikuar me mandatarin, “ua ka përcjellë porosinë Lëvizjes Vetëvendosje, dhe ata janë shprehur shumë pozitivë për këtë ide”.

“Në ato momente kam kontaktuar Memli Krasniqin si Kryetar të PDK-së; Ramush Haradinajn si Kryetar të AAK-së; dhe Fatmir Limajn si Kryetar të Nismës. Të tre këta janë njoftuar se ka një mundësi që të votohet një pako e tillë për të mirën e vendit. Në atë mbrëmje kam kontaktuar dhe disa ambasadorë të QUINT-it”, shtoi.

Nga ai moment, Abdixhiku theksoi se nuk ka lëvizur asgjë për 15 ditë. “15 ditë pa asnjë komunikim; përveç një vonese të pakuptueshme në shpenzimin e ditëve para një krize të paralajmëruar. E pakuptueshme për mua; e lexueshme si tendencë për krijim krize dhe fajësim politik”.

“Ky propozim, i hapur, diskutuar e nxitur nga vet unë, na u kthye në tavolinën e caktimit të zgjedhjeve, dhe atë me stilolaps mbi nënshkrimin e dekretit për zhbërje të Kuvendit. Edhe aty, thash, para të gjithëve, krejt në fund të fjalës sime, se nëse ka gatishmëri nga të gjithë LDK nuk është kundër. Ky deklarim është i regjistruar zyrtarisht”.

Por, Abdixhiku potencon se “nuk pati asnjë lëvizje, ani pse ishte vonë”. “Ani pse ishin shpenzuar 15 ditë pa asnjë nevojë. Ani pse nuk kishte asnjë gatishmëri as për ta diskutuar bashkërisht në një vend këtë ide”.

“Sot habitem se me sa lehtësi fshihet ky fakt dhe kjo e vërtetë. E kuptoj që jemi në betejë politike, por në këtë betejë na duhet të kemi minimalisht korrektësi dhe sjellje njerëzore”, shtoi.

Kjo, sipas tij “është e vërteta”. “Gjithsesi, për të gjitha sfidat ka zgjidhje. Do ta shihni dhe në ditët në vijim se bllokada ishte e qëllimshme. Nuk është e re. Po zgjatë tash e 12 muaj. Se krejt kjo krizë është inskenim i një beteje të Don Kishotit me mullinj të erës”.