Albulena Haxhiu ka thënë se është treguar e gatshme që të ofrojë pozitën e Kryetares së Kuvendit vetëm që vendi të mos shkojë në zgjedhje për shkak të Presidentit.

“Ju e dini që unë kam orfruar edhe pozitën e Kryetares së Kuvendit, sepse cka më duhet pozita e Kryetarit të Kuvendit nëse dikush e kërkon këtë dhe nëse kjo i parandalon zgjedhjet e jashtëzakonshme”, tha Haxhiu në një prononcim për gazetarë të mërkurën.

Ajo konsideron që nuk është mirë që vendi të shkojë në zgjedhje.

Unë e kam shpjeguar disa herë që kemi shumë punë para vetes, shumë reforma që duhet të shtyhen përpara… Kam kërkuar që të gjitha grupet parlamentare që të bëjnë përpjekje maksimale që vendi mos të shkojë në zgjedhje”, shtoi ajo, derisa bëri fajtore partitë opozitare për situatën e krijuar me Presidentin.

Sipas saj, Vetëvendosje ka bërë “aq sa ka mundur, aq sa është varur prej neve”. “Por, mendoj që mungesa dhe refuzimi i të gjitha propozimeve e ofertave që Kurti i ka bërë në drejtim të partive opozitare, mendoj që nuk i ndihmon vendit”, shtoi.

Haxhiu, që mban edhe pozitën e Ushtrueses së Detyrës së Presidentes, theksoi se VV-ja nuk i frikësohet zgjedhjeve, por thotë se nuk janë në interes të qytetarëve.

“Ne nuk i frikësohemi zgjedhjeve, por mendoj që nuk ka të bëjë kjo me kush është më trim e më i guximshëm, por a janë zgjedhjet në interes të qytetarëve? Ne mendojmë që nuk janë në interes të qytetarëve të Kosovës”.

Edhe pse liderët e partive opozitare: Bedri Hamza i Partisë Demokratike të Kosovës dhe Lumir Abdixhiku i Lidhjes Demokratike të Kosovës, e bën të qartë se më nuk do të takohen me Kurtin për çështjen e Presidentit, Haxhiu vlerëson se gjatë këtyre ditëve që kanë mbetur brenda afatit kushtetues, duhet të ketë ende takime.

“Besoj që gjatë këtyre ditëve duhet të ketë ende takime. Nuk po tregohet përkushtim, nuk po tregohet vullnet… Mendoj që duhet të ketë reflektim sepse qytetarët kanë folur më 28 dhjetor”, deklaroi ajo ndër të tjera.