Blloku i Kryeministrit të Izraelit, Benjamin Netanyahu, pritet të fitojë 55 ulëse në Kuvendin izraelit, apo siç njihet si Knesset, raporton The Jerusalem Post, kur numërimi i votave të zgjedhjeve të së martës po vazhdon.
Sipas raportimeve, Partia Likud e Netanyahu-t parashikohet të fitojë 28 ulëse, ndërsa Judaizmi i Bashkuar i Torës pritet të marrë shtatë, Shas shtatë, Otzma Yehudit shtatë dhe Partia Sioniste Fetare gjashtë ulëse.
Blloku opozitar, i përbërë nga Yashar, B’Yachad, Yisrael Beytenu dhe Demokratët, pritet të fitojë 47 ulëse në Knesset.
Partia Yashar e Gadi Eisenkotit parashikohet të fitojë 21 ulëse. B’Yachad, e udhëhequr nga Naftali Bennett dhe Yair Lapid, pritet të marrë 11 ulëse. Demokratët e Yair Golanit pritet të fitojnë tetë ulëse, ndërsa Yisrael Beytenu e Avigdor Libermanit pritet të marrë shtatë.
Rezultatet e fundit të Komisionit Qendror të Zgjedhjeve u atribuojnë partive arabe 18 ulëse në përbërjen e re të Knesset-it. Lista e Përbashkët ka 12 ulëse, ndërsa Ra’am ka gjashtë.
Siç raportojnë mediat izraelite, mundësia e formimit të një qeverie të unitetit që do të përfshinte Netanyahun dhe Eisenkotin ka shumë pak gjasa, pasi Eisenkoti ka refuzuar të shërbejë nën udhëheqjen e Netanyahu-t, përfshirë edhe në një qeveri me rotacion të kryeministrit. Edhe liderë të tjerë të opozitës kanë përjashtuar mundësinë e bashkimit në një koalicion të udhëhequr nga kryeministri.
Eisenkoti ka kërkuar që lideri i partisë më të madhe brenda bllokut opozitar të bëhet kandidati i tij për kryeministër, por deri më tani nuk është njoftuar ndonjë marrëveshje për këtë çështje brenda bllokut.
Sondazhet pas mbylljes së vendvotimeve kanë ngritur gjithashtu mundësinë e formimit të një qeverie të pakicës, e cila mund të fitonte votëbesimin në Knesset pa pasur shumicën absolute prej 61 ulësesh. Megjithatë, kundërshtimi brenda bllokut ndaj mbështetjes te partitë arabe mund ta vështirësojë një marrëveshje të tillë.
Ngërçi politik, raportojnë mediat izraelite, mund të çojë përfundimisht në zgjedhje të reja, megjithëse partitë ende mund të arrijnë marrëveshje përmes negociatave për formimin e koalicionit.
Votat e numëruara përmbysen exit-pollet, të cilat e nxjerrin të parin bllokun opozitar kundrejt atij të Netanyahu-t.
Pjesëmarrja në zgjedhjet e së martës në Izrael ishte 77.7 për qind, tha Komiteti Qendror i Zgjedhjeve i Izraelit, më e larta në më shumë se dy dekada dhe rreth 7 pikë përqindjeje më e lartë se në vitin 2022.
Knesset ka 120 ulëse. Për të formuar Qeverinë, duhet shumicë e thjeshtë prej 61 deputetësh, të cilën aktualisht nuk e ka askush.









