Lidhja Demokratike e Kosovës synon rikthimin e të gjithë anëtarëve në parti dhe aty ka vend edhe për ish-Presidenten Vjosa Osmani, ka thënë anëtari i Kryesisë së LDK-së, Visar Azemi.

“LDK-ja synon rikthimin e të gjithë anëtarëve të saj, kështu që edhe për Vjosa Osmanin mund të ketë vend në LDK, sepse e djathta duhet të bashkohet. LDK-ja ka pasur një proces i cili ka qenë i dëmtuar në proceset e mëparshme dhe kësisoj po synojmë që ta unifikojmë partinë ashtu siç ka qenë LDK-ja gjithherë”, tha Azemi në një konferencë për media të mërkurën.

Zërat për rikthimin e Osmanit në LDK u shtuan pasi që ajo nuk u rikandidua nga Lëvizja Vetëvendosje edhe për një mandat si Presidente.

Derën ia kishte hapur edhe Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku. Në një intervistë për Klan Kosova para disa javësh, derisa foli për një bashkim të të djathtëve, ai thoshte se Osmani e ka vendin e padiskutueshëm në këtë projekt.

“Jam shumë i interesuar të bëjë bashkimin e madh institucionalistëve të djathtës, të dashamirëve të republikës, në një lëvizje të madhe pro-perëndimore, zhvillimore, të matur e të ditur, që ofron dritë të vërtetë për vendin. Dhe në këtë kuptim, hapësira diskutuese me Vjosën është më e mirë se që ka qenë ndonjëherë më parë. Do të ulemi të flasim. Patjetër. LDK i hap dyert për ata që besojnë. Natyrisht se Osmani e ka vendin e vet të padiskutueshëm. Bashkim ose bashkëpunim duhet parë”, thoshte Abdixhiku.

Osmani ishte larguar nga LDK-ja në vitin 2021. Ajo kishte themeluar një iniciativë të quajtur Lista GUXO, në fillim të vitit 2021. Me këtë iniciativë, Osmani kishte bërë koalicion me Albin Kurtin, duke u bërë pjesë e listës së VV-së në zgjedhjet e 14 shkurtit 2021.

Në ato zgjedhje, Osmani kishte garuar për Presidente, ndërsa Kurti për Kryeministër. Pas fitores me mbi 50 për qind, binomi kishte marrë të dy pozitat.

Humbjen më të madhe në zgjedhjet e 2021-së do ta kishte LDK-ja. Kjo parti do të merrte rezultatin më të dobët në histori, rreth 13 për qind.

Për shkak të këtij rezultati të dobët, Isa Mustafa kishte dhënë dorëheqje nga drejtimi i LDK-së.

Osmani ka pasur pozita kyçe në LDK. Madje, në zgjedhjet e 6 tetorit 2019, ajo ishte mandatuar nga partia si kandidate për Kryeministre.

Në ato zgjedhje, Osmani ishte renditur e dyta, pas Kurtit.

Për shkak të marrëveshjes për bashkëqeverisje me VV-në, Osmani do të zgjidhej Kryetare e Parlamentit.

Çarja e Osmanit me LDK-në kishte filluar kur ajo kishte dalur kundër prishjes së koalicionit me VV-në, pasi që Albin Kurti, si Kryeministër, e kishte shkarkuar Agim Veliun e LDK-së nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme, në kundërshtim me marrëveshjen për bashkëqeverisje.

Pas rrëzimit të Qeverisë Kurti, Osmani kishte dalur kundër formimit të Qeverisë së re nga bashkëpartiaku i saj, Avdullah Hoti.