Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka komentuar refuzimin që Murat Jashari ia bëri kandidaturës për President nga Lëvizja Vetëvendosje.

Në emisionin “Interaktiv”, Kurti deklaroi se mediat “i bënë pritë” Murat Jasharit, duke e krahasuar këtë rast edhe me atë të Glauk Konjufcës, kur ky i fundit tha se Murat Jashari do ishte nder si President.

“Shumë më keq e shumëfish më keq se sa Glauk Konjufcës, ia bënë pritën Murat Jasharit mediat. U thanë ato fjalë dhe ja ku jemi tash”, tha Kurti.

Ai la të kuptohet se intervista e Jasharit në VOX Kosova ndikoi në zhvillimet e mëvonshme lidhur me kandidaturën e tij.

Kujtojmë se Murat Jashari, djali i Rifat Jasharit, në një intervistë ekskluzive për VOX Kosova kishte thënë se nuk është i interesuar të bëhet President i Kosovës. Ai kishte deklaruar se Familja Jashari ju takon gjithë shqiptarëve dhe se postin e Presidentit do ta pranonte veç në ndonjë gjendje të jashtëzakonshme a ndonjë luftë civile ku kërkohet unitet e sakrificë, por jo në rrethana tjera.