Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, gjatë vizitës zyrtare në Francë, ka takuar përfaqësues të mërgatës shqiptare, me të cilët ka diskutuar për përfshirjen më të madhe të diasporës në jetën publike, institucionale dhe ekonomike të Kosovës.

Kurti ka thënë se Kosovës i nevojitet kontributi i mërgatës në fushën e arsimit dhe drejtësisë. Madje, ai u ka bërë thirrje avokatëve që jetojnë dhe veprojnë në diasporë që të vijnë në Kosovë dhe të bëhen prokurorë.

“Ne jemi falënderues për rolin tuaj në kulturën tonë, në edukimin e punën. Drejtësia dhe arsimi janë dy shtyllat me të cilat do të matemi pas disa vjetëve, ndoshta edhe dekadave, se çfarë bëmë e çfarë nuk bëmë. E kjo është shumë e rëndësishme për rrugën tonë përpara dhe këtu po na nevojitet ndihma juaj. Me fjalë të tjera, nëse dikush prej jush është avokat këtu, unë shumë kisha qenë i interesuar të vinte të bëhej prokuror në Kosovë”, ka deklaruar Kurti.