Modeli i Kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, sipas Kryetarit të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, është “konflikt i përhershëm, mobilizim i përhershëm dhe shumë më pak shtet sesa është premtuar”. Haradinaj ka thënë se Kurti më nuk është shpresa e Kosovës, dhe kjo, thekson ai, duhet thënë qartë.

Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi të gjatë në Facebook, të cilin e ka titulluar “Albin Kurti nuk është më premtim. Ai është bilanc”.

Haradinaj kujtoi që Kurti ka kërkuar besimin e qytetarëve në emër të ndryshimit, por ai konsideron se gjendja në Kosovë nuk është më e mirë që nga koha që Kurti e ka marrë pushtetin.

“Dhe bilanci i tij nuk matet me fjalët që thotë për veten, por me gjendjen e vendit. Pyetja është e thjeshtë: a është bërë Kosova më stabile, më funksionale dhe më e fortë si shtet pas gjithë këtyre viteve me Albin Kurtin në krye të pushtetit? Përgjigjja është jo”, shkroi ai.

“Në këto vite kemi parë krizë pas krize, bllokadë pas bllokade dhe përplasje të vazhdueshme politike e institucionale. Tensioni është kthyer në mënyrë qeverisjeje. Edhe zhvillimet e fundit me Presidenten Osmani dhe me Gjykatën Kushtetuese e bënë të qartë se problemi nuk është vetëm tek opozita, as vetëm tek rrethanat. Problemi është vetë modeli i pushtetit të Albin Kurtit, i cili prodhon tension edhe brenda institucioneve më të larta të shtetit”, shtoi.

Ish-kryeministri potencon se qytetari i Kosovës nuk jeton nga konfliktet e qeverisë. “Ai jeton nga paga, nga puna, nga çmimet, nga faturat, nga qiraja dhe nga siguria për familjen e vet. Pikërisht këtu ndihet më fort dobësia e kësaj qeverisjeje”.

“Jeta është bërë më e rëndë, çmimet janë rritur dhe familjet e ndiejnë këtë çdo ditë. Po, qeveria ka shpërndarë ndihma dhe ka rritur shtesa. Askush nuk është kundër ndihmës për qytetarin. Por ndihma nuk është zhvillim. Pagesa nuk është reformë. Transferi nuk është ekonomi”, potencoi ai.

Ai kërkoi që edhe diaspora shqiptare, për të cilën tha se për vite i ka dhënë Kurtit mbështetje, ta shoh bilancin e kësaj qeverisje.

“Dashuria për Kosovën nuk matet vetëm me duartrokitje për një retorikë të fortë, por edhe me pyetjen nëse vendi po bëhet më i jetueshëm, më funksional dhe më i sigurt për investim, kthim dhe të ardhme. Diaspora nuk ka nevojë vetëm për simbolikë, por për një shtet që punon, për rend, për ligj, për institucione që japin besim dhe për një ekonomi që krijon mundësi reale”, potencoi ai ndër të tjera.

Kosova, beson Haradinaj, nuk ka nevojë për një kryeministër “që flet përditë si në fushatë”. Sipas tij, ka nevojë për shtet “që punon, për institucione që respektojnë njëra-tjetrën, për ekonomi që lëviz dhe për politikë që ndërton”.

“Qytetari ka të drejtë sot të kërkojë jo edhe një premtim tjetër, por një llogari të thjeshtë: çfarë ka prodhuar gjithë ky pushtet?”.

Për këtë arsye, në prizmin e Haradinajt, duhet thënë qartë: “Albin Kurti nuk është më shpresa e Kosovës”.

“Ai është bilanci i një epoke që premtoi shumë, prodhoi shumë konflikt dhe ndërtoi më pak se sa kishte detyrimin të ndërtonte”.