Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj nuk është takuar me Presidenten e Kosovës, Vjosa Osmani të martën, për shkak se ka qenë i angazhuar për garën e balotazhit.
Se Haradinaj kishte një propozim nga Osmani për takim e ka konfirmuar zëdhënësi i AAK-së, Kushtrim Xhemajli.
“Ka pasur propozim për takim, por kryetari Haradinaj gjatë ditës ka aktivitete në terren në kuadër të fushatës për balotazh”, ka thënë ai për media.
Ndryshe, Osmani është takuar mëngjesin e së martës me Kryetarin e VV-së, Albin Kurti. Dhe, pasi që VV-ja mandatoi Glauk Konjufcën si mandatar të dytë për krijimin e Qeverisë së re, Presidentja takoi edhe Kryetarin e PDK-së, Memli Krasniqin dhe atë të LDK-së, Lumir Abdixhiku.
Këto zhvillime po ndodhin një ditë para se të skadojë afati kushtetues ku Presidentja duhet të vendos nëse do ta dekretojë mandatarin e dytë apo do të shpallë zgjedhje të reja.









