Kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku, ka reaguar pas intervistave të mbrëmshme të Avdullah Hotit dhe Hykmete Bajramit, në të cilat u shprehën ambicie për drejtimin e partisë dhe kandidaturën për kryeministër.
Në një postim në Facebook, Abdixhiku ka thënë se beteja brenda LDK-së nuk duhet të jetë për ambicie personale.
“S’rrotullohet shteti për një ambicie.
Mendoja se e kanë për parime e për Kosovë; por beteja qenka për kryetar të LDK-së për njëri-tjetrin. Për keqardhje!”, ka shkruar Abdixhiku.
Ai ka thënë se LDK-ja njihet për një tjetër qasje politike, duke kritikuar ata që, sipas tij, janë të gatshëm ta vendosin interesin personal mbi shtetin.
“LDK njihet ndryshe. Me klasë politike që dikur jepte gjithçka për shtetin, jo me të atillë që do ta japë shtetin për vete”, ka shkruar ai.
Në fund, Abdixhiku ka përdorur një tjetër mesazh të ashpër ndaj tyre.
“Zot, fali, kaq dinë; se populli s’ka për t’i falur!”, ka përfunduar ai.









