“Jo ndoshta, por jemi në zgjedhje”, ka deklaruar Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, të premten.
Këto komente, Haradinaj i ka bërë para hyrjes në seancën e Kuvendit, kur është pyetur nëse Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, po dëshiron që të shkojë në zgjedhje, duke qenë se deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje për çështjen e Presidentit.
“Jo ndoshta, po jemi në zgjedhje. Sikur të donte të zgjidhte Presidentin ai e di si shkojnë këto punë, këto procese. Ne kemi përvoja politike, disa herë kemi arrit me zgjedh President. Pra, ai nuk e ka hap paketën fare të Qeverisë, me thënë Qeverinë po e ndali për vete, kur vjen puna e Presidentit urdhëroni të merremi vesh. Kjo shkon ndryshe, me atë që e fton për partneritet për President, pra bëhesh partner edhe në Qeveri”, deklaroi Haradinaj.
Gjykata Kushtetuese në vendimin e saj për dekretin e ish-Presidentes Vjosa Osmani për shpërndarjen e Kuvendit, konstatoi se dekreti i saj s’ka efekt juridik dhe u dha kohë deputetëve 34 ditë kohë që ta zgjedhin Presidentin.
Nga ky afat kanë mbetur më pak se 20 ditë. Nëse Presidenti nuk zgjidhet brenda këtyre ditëve, atëherë Kosova shkon në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare.









