Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç, ka pretenduar se rendi i vjetër botëror “po shembet” dhe se rregullat ndërkombëtare “nuk po funksionojnë më”.

Këto komente, ai i ka bërë pas arrestimit të Presidentit të Venezuelës, Nicolas Maduro – i cili është edhe mik i tij – nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, përkatësisht nga Njësia Speciale e Ushtrisë Amerikane Delta.

“Pas aksionit në Venezuelë, është e qartë se e drejta ndërkombëtare, rendi botëror dhe Karta e OKB-së nuk funksionojnë më”, tha Vuçiç pas mbledhjes së Këshillit për Siguri Kombëtare të Serbisë, raportojnë mediat serbe.

Sipas tij, aktualisht në botë “mbizotëron ligji i forcës”. “Kush është më i fortë, ai shtyp. Ky është i vetmi parim i politikës bashkëkohore”, potencoi ai.

Maduro dhe bashkëshortja e tij u arrestuan në orët e hershme të së shtunës nga SHBA-të në një operacion të shpejtë, gjatë të cilit pati edhe sulme ajrore në disa lokacione të kryeqytetit të Venezuelës, Karakas.

Të dielën, Maduro është transferuar në një qendër të paraburgimit në New York. Pritet që gjatë javës të dalë para gjykatës ku do të përballet me akuzat për trafik droge dhe armësh.

Për dallim nga Serbia, Kosova, përkatësisht Kryeministri Albin Kurti dhe Presidentja Vjosa Osmani, kanë mbështetur operacionin e SHBA-së në Venezuelë.