Ambasadori i Kosovës në Maqedoninë e Veriut, Florian Qehaja, nuk ka pritur shumë për të shkuar në zyre të Izet Mexhitit për t’ia uruar fitoren në Komunën e Çairit në zgjedhjet lokale të së dielës.
Lajmi për vizitën e ambasadorit Qehaja u bë i ditur nga Mexhiti, përmes një postimi në Facebook.
“Kjo vizitë ka një domethënie të veçantë, jo vetëm si urim personal, por si shenjë e lidhjes së fortë mes dy vendeve tona, mes dy popujve tanë që ndajnë të njëjtën gjuhë, ndjenjë dhe ideal”, shkroi kryetari i sapozgjedhur i Çairit.
Ai e falënderoi ambasadorin për urimet dhe respektin.
“Miqësia, bashkëpunimi dhe afërsia mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut janë dhe do të mbeten themel i së ardhmes sonë të përbashkët”, pohoi ai.
Me gati 100 për qind të votave të numëruara, Mexhiti ka fituar pa balotazh në Çair me 51.82 për qind, apo 15 mijë e 733 vota. I dyti është rënditur Bujar Osmani i Bashkimit Demokratik për Integrim me 40.39 për qind, apo 12 mijë e 264 vota.









