Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Ministri i Shëndetësisë, Arben Vitia, të shoqëruar nga Kryetari i Komunës së Drenasit, Ramiz Lladrovci, më 27 dhjetor të vitit 2024 hodhën gurthemelin e Qendrës Kryesore të Mjekësisë Familjare në Drenas.
Përpara kamerave, premtuan se ky objekt me kosto afër 3 milionë euro, do të përfundonte në shtator të vitit 2025.
Ka kaluar më shumë se 1 vjet nga këto deklarime e QKMF-ja në Drenas nuk është askund.
Nga Komuna e Drenasit kanë thënë për VOX Kosova se të gjitha procedurat i ka zhvilluar Ministria e Shëndetësisë dhe t’i drejtohemi atyre me pyetje, duke e larguar vetën plotësisht nga kjo histori.
Nga Ministria e Shëndetësisë thanë se punimet janë pezulluar për shkak të mangësive thelbësore të konstatuara nga ekspertët në projektin ekzekutues, i cili është hartuar nga projektuesi i angazhuar nga Komuna e Drenasit.
Edhe nga kompania e kontraktuar për këtë projekt, ConstruMax kanë dhënë përgjigje të njëjtë, thonë se për arsye teknike e profesionale punimet janë pezulluar.
Ata kanë theksuar se Ministria nuk ka kryer asnjë pagesë ndaj tyre si kontraktues, pavarësisht se thonë që kanë pasur shpenzime të konsiderueshme.
Situata është kjo. Plani është pranuar. Punimet kanë nisur. Dhe vetëm pasi gjithçka ka filluar, janë zbuluar problemet.
Si përfundim, qytetarët në Drenas mbetën pa QKMF e pa shërbime, përveç gurthemelit të para një viti dhe rrenës publike të asaj dite.