Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, i ka reaguar deputetit të Lëvizjes Vetëvendosje, Fatos Geci, i cili u dëshiroi burgim të përjetshëm krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës që po gjykohen në Hagë nga Gjykata Speciale.

Çitaku tha se deputeti Geci duhet të ndihet i turpëruar për këtë deklaratë.

“S’po di si me të thënë se me të thënë deputet nuk e meriton, nuk kisha besu kurrë Kryetare e Kuvendit, deputetë të nderuar që nga foltorja e Kuvendit të Republikës së Kosovës vjen një lutje në formë urimi për dënim me burg të përjetshëm për njerëzit që kanë luftuar për lirinë e këtij vendi”, tha Çitaku.

Ajo kërkoi nga Kryetarja e Kuvendit, Albulena Haxhiu dhe Grupi i Parlamentar i Vetëvendosjes që të distancohen nga deputeti Geci nëse nuk mendojnë si ai.

“Duhet të ndiheni i turpëruar dhe Lëvizja Vetëvendosje, nëse nuk mendon si ju, mu tani ju ftoj juve si Kryetare dhe shefen e grupit të distancohet duhet të ju vijë turp”.

Deputeti Geci, në fjalën e tij në Kuvend të martën, i tha Partisë Demokratike të Kosovës që “lideri i juaj suprem”, duke iu referuar Hashim Thaçit, do ta ketë fatin e njëjtë si të Naim Murselit, i cili u dënua të martën me burgim të përjetshëm nga Gjykata Themelore në Prishtinë për vrasjen e gruas së tij, Liridona Ademaj.

“Sot dua të përshëndes vendimin e Gjykatës për burgim të përjetshëm ndaj Naim Murselit dhe ju që shpresoni që një ditë lideri juaj suprem do të lirohet, do ta përcjellë i njëjti fat”, deklaroi Geci.