“E njoftova çka ndodhi dje…”, kështu ka thënë Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, pas takimit që ka pasur me Kryeministrin në detyrë, Albin Kurti.
Abdixhiku theksoi se e ka njoftuar Kurtin se çka ka ndodhur në mbledhjen e Grupit Parlamentar të LDK-së, në të cilën gjashtë deputetë të kësaj partie bën me dije se nuk do ta përkrahin Bekim Sejdiun për President.
“Njoftim i rregullt pas zhvillimeve në dy partitë. Siç e do rendi kur kemi procese diskutuese duhet të njoftojmë edhe zyrtarisht njëri tjetrin… Dhe këtë e bëra. Atë që ka ndodhë dje e njoftova zyrtarisht Kurtin dhe ai më njoftoi për zhvillimet në kryesinë e tij dhe në grupin parlamentar”, tha Abdixhiku për gazetarë.
I pyetur se çfarë do të ndodhë pas kësaj, Abdixhiku sugjeroi se përgjigja të gjendet te ata që, sipas tij, “kanë vendosur ta dërgojnë Kosovën në një fazë të paqartë”.
Kreu i LDK-së u pyet edhe nëse do të ketë ende takime me Kurtin, ku deklaroi se “ne do të përpiqemi të kemi takime, por gjendja numerike në Kuvendin e Kosovës është kjo që është”.
Kurti nga ana tjetër nuk është deklaruar fare për media. Ai është parë duke dalur nga hyrja e pasme e Kuvendit.
Sejdiu u prezantua të hënën nga Kurti dhe Abdixhiku si kandidat i përbashkët për pozitën e të parit të shtetit.
Përveç gjashtë deputetëve të LDK-së – Avdullah Hoti, Hykmete Bajrami, Arben Gashi, Janina Ymeri, Armend Zemaj e Kujtim Shala – të cilët u kritikuan nga Kurti e Abdixhiku, Sejdiu nuk është përkrahur as nga Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca.
Në këto rrethana, Sejdiu nuk mund të zgjidhet President për shkak se Vetëvendosja me pjesën tjetër të deputetëve të LDK-së dhe ata të komuniteteve joshumicë joserb nuk i bëjnë 80 votat e nevojshme për të nisur procesi i votimit.









