Kryetari i Këshillit Kombëtar Shqiptar në Luginë të Preshevës, Enkel Rexhepi, stërvitjet ushtarake të Serbisë në territorin e Komunës së Bujanocit, pranë kufirit me Kosovën, i ka konsideruar si “një provokim të radhës ndaj popullatës shqiptare”.
“Demonstrimi i forcës me helikopterë dhe parashutistë në zona të banuara përbën kërcënim të drejtpërdrejtë për qetësinë dhe sigurinë e qytetarëve shqiptar”, shkroi Rexhepi në Facebook.
Këto veprime, thekson ai, “janë të papranueshme dhe të rrezikshme, duke rikthyer klimën e frikës dhe pasigurisë në vend”.
Prania e bazave dhe zhvillimi i stërvitjeve ushtarake, siç thotë ai, krijojnë një atmosferë “presioni dhe frikësimi mbi popullatën shqiptare, duke ndikuar drejtpërdrejt në shtimin e pasigurisë dhe nxitjen e shpërnguljes së shqiptarëve nga këto troje”.









