Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, i ka quajtur spekulime dhe dezinformime pretendimet për një sulm të mundshëm të Iranit ndaj Shqipërisë, derisa ka kujtuar që shteti që ai udhëheqë është anëtar i NATO-s.

“Për sa i takon Shqipërisë, ka pasur lloj-lloj thashetheme dhe spekulime dhe interesante është që ndryshe nga vendet e tjera, në Shqipëri të keqen më të madhe ne e kemi brenda dhe burimin më të madh të dezinformimit, të gënjeshtrave, të deformimit të informacionit ne ndryshe nga të tjerët nuk kemi pse e kërkojmë gjetkë, sepse e kemi këtu”, ka thënë Rama në podcastin e tij “Flasim”.

“Dhe nga këtu është prodhuar në mënyrën më kriminale dhe të papërgjegjshme edhe një seri lajmesh për gjoja mundësinë e sulmit mbi Shqipërinë”, shtoi ai.

Por, Rama rikujtoi që Shqipëria është anëtare e NATO-s dhe theksoi se “sikundër NATO e demonstroi qartësisht në Turqi, ku goditi menjëherë një raketë të ardhur nga Irani gjë të cilën pastaj e nënvizoi bukur mirë edhe gjenerali amerikan i komandës së NATO-s qartësisht, kjo shpejtësi reagimi dhe ky kapacitet reagimi vlen për të gjitha vendet anëtare të NATO-s”.