Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka thënë se ishulli urban, që lidhë 30 mijë banorë të lagjes Arbëria me qendrën po bllokohet nga Qeveria. Ai ka kërkuar nga Prokuroria që të ndërmarrë masa të menjëhershme për këtë rast.

“Për fat të keq prapë punët tona po bllokohen. Po bllokojmë 30 mijë banorë 30 mijë qytetarë të kryeqytetit me iu kriju mundësinë me kalu të sigurt prej anës të Arbërisë në qendër të kryeqytetit. Kujt po i pengojnë këto punë?”, tha Rama në një konferencë për media të enjten.

Qeveria, sipas tij, vazhdon “për çështje puro politike me blloku kryeqytetin, derisa të njëjtën kohë ju jep leje sektorit privat”.

“Çfarë hipokrita, çfarë hipokrizie. Ne kemi krijuar projektin, kemi nda buxhetin kemi fillu punimet po vazhdojmë punimet me intensitet e ata vijnë edhe e bllokojnë kryeqytetin në mënyrë të jashtëligjshme”, shtoi ai.

Rama theksoi se si Kryetari i Prishtinës, nuk do të lejon që “bllokohen më shumë se gjysmë milionë banorë të kryeqytetit nga njerëz që janë të paaftë, që nuk ia dojnë të mirën këtij qyteti, që nuk ia dojnë të mirën këtij vendi”.

“Prandaj e ftoj Prokurorinë që të ndërmarrë masa të menjëhershme. Të gjitha këta bllokues e sabotues me shku në Prokurori”.

Punimet për “Ishullin Urban Arbëri – Pallati i Rinisë” ishin ndalur në nëntor të 2024-së, nën pretekstin se gjoja nuk kanë nisur me pëlqimin e Institutit të Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve.

Komuna e Prishtinës i kishte zhvendosur më pas punimet dhe kishte aplikuar për pëlqim, por përsëri ishte refuzuar nga Instituti i Kosovës për Mbrojtjen e Monumenteve. Arsyetimi, ndër të tjera, është duke u hartuar Plani i konservimit të Zonës Historike të Prishtinës.