Kjo fotografi e shkrepur në një ceremoni kurorëzimi në qershor të vitit 2023, nuk do të kishte kurrfarë relevance sikurse në të, të mos paraqitej Blinera Gashi – Reka, vajza e Kryeprokurorit të ri të shtetit, Zejnullah Gashi, krah për krahë me Arianit Beqirin, asistentin më të afërt të Kryeministrit Albin Kurti.
Atë ditë, po kurorëzohej Berita Abazi, shefe e Kabinetit të ushtrueses së detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu – e cila me dorën e saj e dekretoi Gashin për Kryeprokuror.
E pranishme, aty ishte edhe vajza e kryeprokurorit Gashi.
Por, asgjë nuk po ndodhte rastësisht.
Abazi dhe Gashi – Reka, kanë një raport shumë të ngushtë shoqëror siç shihet edhe në fotografitë e rasteve të shoqërimit të përbashkët.
VOX Kosova e ka pyetur edhe vetë Zejnulla Gashin për raportet e vajzës me zyrtarë të Vetëvendosjes, por i njëjti zgjodhi të mos përgjigjej.
Ushtruesja e detyrës së Presidentes, Albulena Haxhiu, aty ku Berita Abazi është shefe kabineti – dekretoi të martën e 14 korrikut Zejnulla Gashin për Kryeprokuror të Shtetit, vetëm një ditë pasi ai u nominua nga Këshilli Prokurorial.
Për 24 orë, Gashi u bë i pëlqyeshëm për Haxhiun, derisa veç pak kohë më parë e kishte denoncuar publikisht.
“Prokurorë e gjyqtarë më kanë çu fjalë për takim, me u marrë vesh disi”, thoshte Haxhiu në Debat Plus në korrik 2024.
Por, çuditërisht, Gashi nga një shembull i kalbjes së sistemit prokurorial, kaloi në favoritin e pushtetit.
Mbase, kjo mund të jetë arsyeja.








