Zejnulla Gashi, Kryeprokuror i Shtetit, ka takuar të martën prindërit e Astrit Dehari, ish-aktivisti i Vetëvendosjes që ishte gjetur i vdekur në qendrën e paraburgimit në Prizren më 5 nëntor 2016. Gashi ka thënë se ndriçimi i rrethanave të vdekjes së Deharit është obligim institucional.

Në njoftimin e Sistemit Prokurial, bëhet me dije se pjesë e këtij takimi ka qenë edhe Bekim Kodraliu, prokurori i çështjen e rastit të Astrit Deharit.

Kryeprokurori Gashi thuhet se ka dëgjuar “për së afërmi shqetësimet dhe qëndrimet e familjes Dehari, duke theksuar rëndësinë e trajtimit të këtij rasti me seriozitet, profesionalizëm dhe në përputhje të plotë me ligjin”.

“Kryeprokurori i Shtetit ka ritheksuar se ndriçimi i plotë i rrethanave të vdekjes së Astrit Deharit është obligim institucional dhe se do të angazhohet maksimalisht që, brenda kompetencave dhe autorizimeve të tij ligjore, kjo çështje penale të trajtohet me profesionalizëm, me qëllim që të zbardhet e vërteta rreth këtij rasti dhe i njëjti të marr epilog përfundimtar”.

“Kryeprokurori i Shtetit mbetet i përkushtuar që çdo çështje penale të trajtohet me përgjegjësi, paanshmëri dhe transparencë, në mënyrë që rastet e viktimave të marrin përgjigje institucionale dhe të përmbushen pritshmëritë legjitime të familjarëve të tyre për drejtësi”.

Astrit Dehari ka qenë aktivist i Lëvizjes Vetëvendosje. Ai ishte gjetur i vdekur në qelinë e tij në qendrën e paraburgimit në Prizren më 4 nëntor 2016, në kohën sa ishte i dyshuar për sulmin me zollë në Kuvend, më 4 gusht 2016.

Nga Vetëvendosje kanë pretenduar vazhdimisht se Dehari është vrarë në burg, mirëpo kjo nuk është konstatuar ende nga asnjë ekspertizë ndërkombëtare apo institucion i drejtësisë në Kosovë.