Armend Zemaj, deputet nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, ka thënë se nuk do të votojnë për asnjë kandidat të Lëvizjes Vetëvendosje për Kryetar të Kuvendit.

“Jo nuk do të votojmë as këdo, por nuk do të votojmë pro zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit nga Lëvizja Vetëvendosje”, tha Zemaj para hyrjes në seancën e Kuvendit.

Këtë të mërkurë, duke filluar nga ora 11:00, do të mbahet vazhdimi i seancës konstituive.

Sipas Kushtetutës, Kuvendi duhej të konstituohej më së largu më 7 gusht. Por, VV-ja, përkundër se i kishte 61 votat e nevojshme, nuk e bëri.

Kryetari i VV—së, Albin Kurti, tha se i duhet ende kohë për të arritur një marrëveshje politike me partitë, posaçërisht për çështjen e Presidentit.

Opozita, posaçërisht Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca, kanë thënë se me moskonstituimin e Kuvendit është “cenuar rendi kushtetues”.