Ish-Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se AAK-ja nuk është e interesuar të bëhet pjesë e Qeverisë së Albin Kurtit.
“Ne s’jemi të interesuar me u bë pjesë e Qeverisë Kurti, as me e ndihmu me vazhdu këtë qeverisje. Nuk jemi të interesuar për një marrëveshje të koalicionit qeverisës me Kurtin, nuk jemi. Pra, nuk ka Aleanca këso andrrash, as nuk synon, as nuk merr pjesë në Qeverinë Kurti”, tha Haradinaj në Pressing.
Duke folur për mundësitë e koalicioneve të Vetëvendosjes me partitë tjera të opozitës, Haradinaj ka thënë se ndoshta Kurti e do Lidhjen Demokratike të Kosovës vetëm “si materie për me konsolidu kontrollin total të vetin”.
Nëse Kurti do ta donte LDK-në, thekson Haradinaj, do të ia bënte “një ofertë të dinjitetshme”.
“Jo si një krijues të institucioneve të vendit me vendimmarrje LDK-ja, por vetëm si një materie që ai me e arritë atë kontrollin total edhe LDK-ja për këtë arsye s’ka mujt me ba marrëveshjen para kësaj se e shihte që ai nuk po e do LDK-në, ai po do veç votat e deputetëve të LDK-së për kontroll total. Edhe për çfarë arsye për shembull një subjekt politik ia jep këtë mundësi kur s’ia ka jep votuesi vet, s’ia ka jep qytetari, ti s’ke të drejtë me jep ashtu”.









