Gatishmërisë së Kryeministrit në detyrë, Albin Kurtit, për takim, i është përgjigjur menjëherë Kryetari i AAK-së, Ardian Gjini. Ky i fundit në Rubikon, tha se Kurti “s’ka pse të insistojë të takohet me të”.

“Mos insisto me u taku me mua, sepse nuk ke për çka me u taku me mua. Ti që e ke pru Kosovën në ditën që duhet me ble gurë prej Serbisë. Që ta dimë. Unë i kam pyet njerëzit disa herë a ju vjen inati me ardhë puna Kosova me ble gurë e zallë në Serbi. A e dini sa gurë kemi në Kosovë, a e dini çfarë kapaciteti prodhimi kemi në Kosovë?. A e dini se nëse e ka pru punën me ble gurë prej Serbisë, a jeni tu e ditë për çfarë karakteri kemi të bëjmë? ”, deklaroi Gjini.

Pas takimit të së mërkurës me të parin e LDK-së, Lumir Abdixhiku, në të cilin s’pati marrëveshje, Kryetari i VV-së, Albin Kurti, shprehu gatishmëri të takohet edhe me liderë nga PDK e AAK

“Vullneti dhe gatishmëria ime, përveçse interesimit tim, do të jenë gjithmonë aty. Në një kohë të përshtatshme, në të cilën do vendosin ata, unë jam i gatshëm që të takohem edhe me kryetarin e AAK-së, edhe me kryetarin e PDK-së”, tha Kurti, duke shtuar se me ta “ka kaq shumë tema për t’u diskutuar”.

Paraprakisht, PDK e AAK kishin refuzuar ftesën për takim të Kryeministrit në detyrë.