Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se nuk mund të ketë Qeveri të pakicës në Kosovë.
Këto komente, Abdixhiku i ka bërë në një konferencë për media të mërkurën, një ditë pasi që Glauk Konjufca, nënkryetar i VV-së, u mandatua nga Presidentja Vjosa Osmani për krijimin e Qeverisë së re.
“LDK e rikujton se në demokraci pakica nuk mund të vendosë për shumicën, për popullin, në demokraci pakicës i thonë opozitë, jo qeveri, s’mund të jesh qeveri pakicë, ose je opozitë ose je shumicë. Në demokraci pakica nuk e ndan buxhetin, paranë e shtetit, nuk kalon ligje, nuk imponon politika dhe nuk mund ta bllokojë vullnetin qytetarë të shprehur me votë të lirë, madje as me zvarritje të pakuptimta si ky mandatimi”, tha Abdixhiku.
Ai theksoi se çdo qeveri duhet të përfaqësojë shumicën qytetare, por shton se kjo shumicë nuk ekziston. “Kur s’ka shumicë, vendi duhet t’i kthehet sovranit, pra qytetarit dhe ky është thelbi i demokracisë, demokracia është shumë e thjeshtë”, shtoi.
Propozimin e VV-së për Konjufcën si mandatar, kreu i LDK-së e konsideroi si në monarki, ku pushteti trashëgohet te familjarët.
“Ajo që sot na propozohet më shumë se demokracisë, i ngjan monarkisë, në monarki mandati trashëgohet, nga babi, te i biri, nga Albini të Glakuku. Në monarki pra mandate mund të trashëgohet, në demokraci mandati sigurohet”, pohoi.
Në vlerësimin e tij, nuk ka fare rëndësi se çfarë vendos Këshilli i Përgjithshëm i VV-së, pasi që, sipas tij, “ka shumë rëndësi se çfarë vendos parlamenti i lirë i Kosovës”.
“Për LDK-në, ky proces është veçse një lojë politike, dhe kjo lojë politike ka vetëm për synim vonesën për disa ditë dhe thellimin e krizave të mëdha shtetërore. Për këtë çështje, LDK-ja nuk çan kokën fare”, shtoi.
Koha e, siç i quan ai, “axhamive politike ka marrë fund”, derisa konsideron se “nuk fitohen më në Kosovë beteja me politika të tilla primitive e kalkulime”.
“LDK e konsideron se çdo ditë e humbur e lojërave të tilla politike, cdo zvarritje e qëllimshme e institucioneve përbën vet zgjatje të krizës, dëm për buxhetin e. Nuk mundesh që në njërën anë të kërkosh ndihmë për popullin, e në anën tjetër të thellosh krizën. Ose je me popullin, ose je me krizën”.









