Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka thënë se që disa vite, të vetmit që janë duke fituar nga kriza e naftës janë bizneset për shkak se këtë po ua garanton Qeveria.
Këto komente, Abdixhiku i bëri në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit, ku po diskutohet për rezolutën që ka të bëjë me rritjen e çmimeve të naftës, duke iu përgjigjur Ministrit të Financave, Hekuran Murati, i cili tha se opozita e ka thirrur seancën sepse po do që t’i mbrojë bizneset.
“Ministri i Financave tha se e keni thirr këtë seancë se po doni me i mbrojtë bizneset. E tash e nja katër pesë vjet, të vetmit që janë duke fituar prej krizës së naftës, janë bizneset”, deklaroi Abdixhiku.
“A e dini pse? Sepse kjo Qeveri ua garanton këtë fitim. Luftërat nisin, përfundojnë, rinisin do të reja, përfundojnë ato, një gjë në terminologjinë e Vetëvendosjes mbetet konstante është fitimi i garantuar prej Ministrisë së Tregtisë dhe Industrisë për bizneset e Kosovës”, shtoi.
Kreu i LDK-së potencoi se nuk janë aty për të mbrojtur diçka “që e ka të garantuar prej Qeverisë”. “Jemi për të ngritur një shqetësim në mënyrë shumë të qytetëruar, të argumentuar”.
Abdixhiku konsideron se duhet të ketë pajtim që ka krizë dhe në këtë rrethanë ai deklaroi se janë dy alternativa. “E para është të presim që thirrja e Ministrit tonë të Jashtëm, Glauk Konjufca, për hapjen e ngushticës së Hormuzit të merr mbështetje nga Ajatollahu i ri – nuk pres që do të ndodhë”, pohoi.
“E dyta që pres që duhet të ndodhë është duhet të marrim masa. Në qoftë se këto masat e Qeverisë po bëhen e na u tha se janë një sërë masash, përfshirë edhe vënia e çmimit tavan… është e vetmja aletrantivë, të ua them lajmin e keq: s’po funksionon. Cmimi i naftës është 2 euro sot”.
Abdixhiku edhe ironizoi me mburrjet e Qeverisë sa i përket menaxhimit të situatës.
“Në termat e Ministrit të Shëndetësisë: operacioni i suksesshëm, po pacienti vdiq. Mirë bre shumë krejt keni punu, po nafta 2 euro. Pra kjo është kriza jonë”.









