Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) “nuk është për një person”, ka thënë Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama.

Këto komente, Rama i ka bërë në një prononcim për gazetarë të enjten, pasi që u pyet për zhvillimet në LDK dhe deklaratat e Kryetarit Lumir Abdixhiku, ndaj tij, ku, ndër të tjera, ka thënë se Ramën ai e ka sjellë si kandidat për kryeqytetin kur nuk e ka njohur askush.

Rama deklaroi se LDK-ja duhet me qenë bashkë për ta mbrojtur demokracinë e për ta luftuar “autokracinë”.

“Po këtë mundeni me vendos ju. LDK-ja ka qenë bashkë. Duhet me qenë bashkë. Edhe me vazhdu bashkë. Nuk është këtu për një person. As për mua, as për dikënd tjetër. Është për të ardhmen e vendit tonë. Është për me e mbrojtë demokracinë në këtë vend. Pra, me e luftu autokracinë. Këto janë temat. Nuk janë a është ky, a është ai”, tha ai.

I pyetur se pse s’po bëhet pjesë e LDK-së, duke qenë se më herët ai ka thënë se nuk është pjesë e kësaj partie, Rama deklaroi se “unë veç jam pjesë e LDK-së”.

Pas rezultatit në zgjedhjet parlamentare të 7 qershorit, disa degë të LDK-së, si ajo e Pejës dhe Lipjanit, por edhe deputetë si Hykmete Bajrami dhe Avdullah Hoti, kërkuan dorëheqjen e Abdixhikut, por ai e bëri të qartë se nuk e ka ndërmed të largohet nga drejtimi i partisë.

Rama nuk është deklaruar konkretisht për zhvillimet në LDK, por në festën e organizuar nga ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë për nder të përvjetorit të pavarësisë së SHBA-ve, ai u pa krah grupit që kërkon largimin e Abdixhikut.