Deputetja e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Time Kadrijaj, i ka thënë Ministres së Ekonomisë, Artane Rizvanollit, që t’i frikësohet punës së saj, si pasojë e së cilës mund të përfundojë në burg.
Kështu Kadrijaj tha në seancën e Kuvendit ku po diskutohet për çmimin dhe faturimin e energjisë elektrike për konsumatorët, duke i reaguar Rizvanollit, e cila në fjalën e saj u tha deputetëve që nuk iu frikësohet, në kohën kur ata po përpiqeshin që t’ia pengonin fjalën e saj.
“Frikësohu punës tënde, tenderëve që i ke dhënë një burimor, atyre grupeve të Whatsapp-it, frikësohu që ke me përfundu në burg se bash kurrkush nuk i fëlliq duart me ty”, deklaroi Kadrijaj.
Lëvizja Vetëvendosje, theksoi ajo, kanë ardhur në pushtet për t’i luftuar oligarkët, por theksoi se janë bërë vetë oligarkë.
“A ka mbet dikush në Lëvizjen Vetëvendosje pa u ba oligarkë, pa u ba vet, pa e ba nanën e babën e vëllezërit e motrat e hallat e tezet, krejt ata që i keni pas për dasma e ahengje, sot i keni ba oligarkë edhe kështu po funksiononi”.
Kadrijaj theksoi që të mos mundohen që gjithë këtë rritje të çmimit të energjisë ta prezantojnë si fitore, “sepse në fakt këtu po e pëson qytetari i shkretë”.
“Edhe këtë mafinë energjetike e Lëvizjes Vetëvendosje e filluat me Martinin e tash në fund më Marinin e nuk e di ku ka me përfundu.” Ajo potencoi se janë duke përfituar nga kompanitë fantome. “Thjesht janë këto kompanitë e juaja që kanë fituar GEN-i, NOA, ETMT, EFT, të gjitha këto janë kompani që ju i keni ba fantome edhe që të gjitha po përfitojnë nga ju”.








