“As nuk më lëndon e nuk është që më befason një deklaratë e tillë, sepse të tillë janë edhe Donika Gërvalla edhe eksponentë të tjerë të Vetëvendosjes”.

Kështu ka thënë deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), Blerta Deliu-Kodra, kur ka komentuar fjalinë e shpifur të Donika Gërvallës ndaj saj, ku në Kuvend i tha se “po të vjen era gojës”.

“Sapo t’i humbin argumentet, ata fillojnë me etiketime”, tha Deliu për VOX Kosova.

Ajo thekson se për të më shqetësuese se “ai kundërmim ndaj meje është kundërmimi që Donika Gërvalla e bën ndaj krerëve të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ndaj partnerëve ndërkombëtarë, ndaj të ardhmes së Kosovës”.

“Asnjëherë një mendim racional të Donika Gërvallës për Kosovën s’e kemi ndje”, shtoi.

Megjithatë, Deliu-Kodra thekson se “nuk janë as deklarata që më çojnë peshë, as që më lëvizin prej rrugëtimit tim”. “Kosova sot ka nevojë më shumë se kurrë për stabilitet”. 

“Donika Gërvalla para se të lëshohet në kundërmime ndaj luftëtarëve të lirisë e të ardhmes së Kosovës duhet të kthehet te shtetndërtimi, te konstituimi i Kuvendit e ta kryejë detyrën e saj si e betuar në Kuvendin e Kosovës”.

“Kundërmimet” ndaj saj, deputetja e PDK-së pohoi se janë “krejtësisht të pavlera, sepse jemi mësuar Donika Gërvallën me e dëgju sistematikisht t’u kundërmu ndaj të tjerëve”.