Përparim Gruda, deputet i Partisë Demokratike të Kosovës (PDK), ka thënë se Ligji për Gjykatën Speciale i miratuar të martën nga Kuvendi, nuk e shkel asnjë detyrim ndërkombëtar të Kosovës ndaj Bashkimit Evropian.

Këto komente, Gruda i bëri në një konferencë për media, pasi që BE-ja tha se Ligji për Specialen bie ndesh me detyrimet ndërkombëtare që Kosova ka ndërmarrë ndaj Unionit.

Deputeti i PDK-së rikujtoi edhe deklaratën e Presidentes së Komisionit të BE-së, Ursula von der Leyen, e cila, në një konferencë të përbashkët për media me Kryeministrin Albin Kurti, më 1 tetor, në Prishtinë, kishte thënë se i takon Kosovës të vendos çfarë është e nevojshme e çfarë jo.

“Presidentja e Komisionit Evropian që përfaqëson politikën e jashtme të BE-së, të gjitha vendeve anëtare, para pak ditësh në Prishtinë ka deklaruar që është e drejtë e Kosovës ta ndryshojë ligjin. Pra, nuk e ka mohuar”, tha Gruda.

“Deklarimet e sotshme nga një zëdhënës i BE-së, unë nuk i kam parë në faqen zyrtare të BE-së. Por, mund të them këtë: që Presidentja e Komisionit Evropian ka deklaruar në Prishtinë që nuk është problem nëse Kosova e miraton një ligj, është e drejtë e Kosovës, tha Presidentja von der Leyen, që ta ndryshojë ligjin”, shtoi ai.

Gruda deklaroi se mund ta garanton BE-në që “janë partneri i jonë strategjik dhe i padiskutueshëm që ne nuk prishim me këtë ligj asnjë detyrim ndërkombëtar, nuk shkelim asnjë detyrim ndërkombëtar”.

“Rruga jonë evropiane është e padiskutueshme. Partneriteti jonë është i padiskutueshëm dhe lojaliteti jonë i pakushtëzuar ndaj detyrimeve ndaj detyrimeve ndërkombëtare është i padiskutueshëm dhe ky ligj nuk prish asnjë detyrim të tillë ndërkombëtar”.

Gruda foli edhe për deklarimin e Gjykatës Speciale, e cila theksoi se nuk është konsultuar nga Kosova për ligjin.

Ai tha se Kuvendi i Kosovës nuk ka nevojë ta pyes Gjykatën Speciale për nismat e veta ligjore.

“Kjo është një gjë e ditur. Ky është një standard civilizues që organi ligjvënës nuk e pyet organin gjyqësor për ndryshime të tilla”.

Gruda tha edhe se nëse dikush ka dilema për kushtetutshmërinë e ligjit e ka një adresë: Gjykatën Kushtetuese të Kosovës në Prishtinë dhe askund tjetër.