Ambasada e Britanisë së Madhe në Kosovë ka përgënjeshtruar pretendimin e kandidates së Vetëvendosjes për Presidente, Feride Rushiti, se ata e kanë përkrahur atë për Presidente.

Nga ambasada britanike thanë se nuk kanë “asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë”.

Në një konferencë për media, nga salla e konferencave të Presidentit, Rushiti, e shoqëruar nga Kryeministri Albin Kurti, deklaroi se ka marrë mbështetje për t’u bërë Presidente edhe nga partnerët ndërkombëtarë, duke specifikuar britanikët.

“Partnerët ndërkombëtar nëse mund t’i them janë ambasada angleze, me të cilët bashkëpunoj dhe më mbështesin qe sa vite. Këtë propozim ma kanë bë edhe më herët, para se me vendos, dhe kam thanë jo. Sepse kam mendu që ka me pasë zgjidhje politike. Pastaj sot kam qenë edhe me ambasadoren amerikane në kontakt. Më kanë përuru për guximin që e kam marrë. Unë edhe jam ‘grua e guximshme’ prej Departamentit të Shtetit amerikan”, deklaroi Rushiti.

Por, ambasada e Britanisë së Madhe, në një përgjigje për mediumin “Nacionale”, e ka mohuar këtë.

“Vërejmë se partitë kanë tentuar dhe kanë dështuar të arrijnë marrëveshje për zgjedhjen e një Presidenti të ri të Kosovës, dhe si rezultat Kosova do të mbajë zgjedhje të reja kombëtare. Ashtu si në zgjedhjet e tjera të fundit, ne vazhdojmë t’i inkurajojmë të gjitha partitë që të veprojnë në përputhje me ligjin dhe Kushtetutën, si dhe të zhvillojnë fushatën në mënyrë konstruktive dhe me respekt”, kanë thënë ata.

“Është rol ekskluziv i partive politike të diskutojnë dhe të propozojnë kandidatë të mundshëm për zgjedhje”. “Mbretëria e Bashkuar nuk ka asnjë rol në propozimin apo mbështetjen e ndonjë kandidati të caktuar në Kosovë dhe nuk e ka bërë një gjë të tillë”, shtuan.

Rushiti u propozua kandidate për Presidente nga Vetëvendosja të hënën. Por, ajo dështoi që të zgjidhej në pozitën e të parit të shtetit për shkak të mungesës së kuorumit në seancën që nisi të hënën e përfundoi të martën në ora 24:00.

Duke qenë se nuk u zgjodh Presidenti, Kuvendi u shpërnda automatikisht dhe vendi shkoi në zgjedhje të jashtëzakonshme parlamentare, të cilat duhet të mbahen brenda 45 ditëve.