Nenad Rashiç, Kryetar i Partisë për Liri, Drejtësi dhe Mbijetesë, ka thënë se gjasat që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë procesin e zgjedhjes së tij si nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit serb janë 50-50.
“Gjasat janë 50-50 që Gjykata Kushtetuese ta rrëzojë votimin tim si nënkryetar. Nuk mund të them me siguri, por është e mundshme që vendimi të shkojë në cilëndo anë”, ka thënë Rashiç, raporton Telegrafi.
Ankesën në Kushtetuese për zgjedhjen e Rashiç-it si nënkryetar e ka bërë Lista Serbe – partia më e madhe e serbëve të Kosovës, e cila dirigjohet nga Beogradi zyrtar.
Nenad Rashiç u zgjodh nënkryetar i Kuvendit të Kosovës nga radhët e komunitetit jo shumicë serb më 10 tetor. Ai mori 71 vota për, 24 abstenime dhe nëntë kundër.
Zgjedhja e Rashiç-it erdhi pasi që nëntë (9) deputetët e Listës Serbe dështuan radhazi nga tri herë secili për t’i marrë votat e nevojshme.
Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Vetëvendosje votuan për, ndërsa Partia Demokratike e Kosovës abstenoi.









