“Është çështje e ambasadës amerikane”, ka thënë Kryeministri në detyrë i Kosovës, Albin Kurti, në lidhje me kritikat që ambasada e Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Kosovë i drejtoi Lëvizjes Vetëvendosjes për moscertifikimin e Listës Serbe nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve për zgjedhjet e 28 dhjetorit.
“Ajo është çështje e ambasadës amerikane. Ajo është çështje e KQZ-së. Unë jam kryeministër i Republikës së Kosovës”, tha Kurti shkurt për gazetarët në ceremoninë e vendosjes së gurthemelit për ndërtimin e tribunave dhe ndriçimit në Stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë.
Më 3 dhjetor, ambasada amerikane në Kosovë tha se përpjekjet e VV-së për të bllokuar certifikimin e Listës Serbe për zgjedhjet e 28 dhjetorit janë “veprime përçarëse”.
Ata thanë se “veprime të tilla cenojnë stabilitetin e Kosovës dhe interesat e SHBA-së”.
Vendimin për moscertifikim në zgjedhje, Lista Serbe e ankimoi në Panelin Zgjedhor për Ankesa dhe Parashtresa, e cila më pas urdhëroi KQZ-në që ta certifikojë subjektin politik më të madh të serbëve të Kosovës, i cili dirigjohet nga Beogradi.
Mirëpo, KQZ-ja të mërkurën, përsëri nuk ia certifikoi Listës Serbe kandidatët e saj për deputetë për pjesëmarrje në zgjedhje.









