Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, e ka uruar Albin Kurti për rizgjedhjen e tij si Kryeministër i Kosovës.
Në letrën e urimit, Rama e ka riafirmuar gatishmërinë e ekzekutivit shqiptar për bashkëpunim të gjithanshëm me Qeverinë e Kosovë të drejtuar nga Kurti.
“Mandati Juaj i ri qeverisës më ofron rastin e duhur t’Ju përcjell urimet e mia më të përzemërta për sukses. Gjithashtu, e shfrytëzoj këtë mundësi për të riafirmuar gatishmërinë time dhe të Qeverisë që unë drejtoj, për një bashkëpunim të gjithanshëm, në të gjitha nivelet dhe në të gjitha fushat, për të përshpejtuar hapat në rrugëtimin tonë sfidues drejtë Shtëpisë së Përbashkët Evropiane”, ka thënë Rama, sipas zyrës së Kryeministrit.
“Zbatimi sa më i plotë i marrëveshjeve të miratuara dhe shqyrtimi e angazhimi në projekte të reja, nga sektorët më të rëndësishëm e prioritarë, janë në dobi dhe do të përmirësojnë e pasurojnë më tej jetën e qytetarëve tanë”, shkroi mes tjerash ai.
Duke uruar përparim të gjithanshëm të Kosovës, Rama e ka ftuar Kurtin për vizitë në Shqipëri.
Kurti u zgjodh Kryeministër për herë të katër në seancën e së dielës. Ai dhe Qeveria e tij morën 62 vota për.
Por, Qeveria e tij është kontestuar. Partia Demokratike e Kosovës ka dërguar një lëndë në Gjykatën Kushtetuese ku i kërkon që të vlerësojë kushtetutshmërinë e zgjedhjes së Qeverisë.









