Michael Durkee është dëshmitari i radhës i mbrojtjes së Hashim Thaçit në Hagë. Durkee dëshminë e nisi sot (e mërkurë, 12 nëntor). Para tij, për gati tre ditë me radhë dëshmoi Emisari Special i SHBA-ve në kohën e luftës në Kosovë, Christopher Hill.
Durkee ka qenë këshilltar politik i Wesley Clark, kur ky ishte Komandant Suprem i NATO-s në Evropë.
Ai shfaqet në dëshmi dhe dokumente të Tribunalit Ndërkombëtar për ish‑Jugosllavinë (ICTY), ku përmendet si këshilltar politik i Clark, duke marrë pjesë në takime të rëndësishme dhe vendimmarrje strategjike. Në disa dokumente thuhet se ai ka këshilluar shtetet e NATO-s për mënyrën e bashkëpunimit gjatë operacioneve në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën.
Lidhja e Durkee me Kosovën lidhet me luftën e vitit 1998-1999 dhe periudhën pas saj, përmes punës së tij në NATO dhe rolin e tij politik-strategjik në vendimmarrjet që lidhen me Kosovën. Ai ka qenë pjesë e takimeve me liderë të tjerë ndërkombëtarë dhe me qeverinë e Serbisë, përfshirë takime me Slobodan Miloseviç, ku diskutohej situata në Kosovë.









