Halil Thaçi, Kryetar i Komunës së Obiliqit nga radhët e Lëvizjes Vetëvendosje, është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në lidhje me shpronësimet në fshatin Shipitullë.
Kështu ka konfirmuar Prokuroria Speciale për VOX Kosova. Nga organi i akuzës bënë të ditur se Thaçi dyshohet për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi”.
“Mund të konfirmojmë se H.Th., është intervistuar nga Prokuroria Speciale në cilësinë e të pandehurit, në kuadër të procedurave hetimore që kjo prokurori është duke i zhvilluar në një rast që ka të bëjë me shpronësimet në fshatin Shipitullë, nën dyshimin për kryerjen e veprës penale “Ushtrim ndikimi’”, kanë thënë nga Prokuroria.
Pasi doli nga Prokuroria, Thaçi tha se është intervistuar lidhur me shpronësimet në Shipitullë dhe akuzon Jeta Xharrën e Kallxo.com se për tre vjet i kanë bërë presion me një incizim duke i thënë se “do ta humbë karrierën” nëse publikohet.
“Për tri vjet radhazi, janë mundu me më kërcënu e me më shantazhu, gjoja se për një incizim që kam bisedu me qytetarët e fshatit Shipitullë. Unë i tregova mediave, ju thash që Halil Thaçi, Kryetari i Komunës së Obiliqit, as nuk kërcënohet, as nuk shantazhohet. Ato media që mendojnë që mendojnë një incizim të një deputeti, apo një Kryetari të Komunës me e kthy në biznes, unë po ju tregoj që me Halil Thaçin nuk shitet kjo”, deklaroi Thaçi.
I pyetur direkt se kush e ka shantazhuar, ai tha “Kallxo.com, Jeta Xharra”.
“Situata ka qenë që unë kam bisedu me banorët për një problem që e kanë në fshatin Shipitullë për shpronësim. Unë kam bisedu me banorët dhe ai incizim më është servuar për tre muaj ditë nga Kallxo.com si lloj shantazhi, apo lloj kërcënimi që nëse e publikojmë të humb ty karriera”.









