Ramiz Lladrovci, kryetar i Drenasit, është shprehur i pakënaqur me situatën në Partinë Demokratike të Kosovës, përkundër se kjo parti ndryshoi kryetarin e saj.
Lladrovci ka deklaruar se përkundër sqarimeve të tij të vazhdueshme, “mjegulla rreth Drenasit nuk po hiqet” dhe se “disfata po paraqitet fitore”, duke kritikuar eksponentë të partisë, përfshirë edhe kryetarin e ri, Bedri Hamza, për paraqitjen e situatës aktuale si të zakonshme.
“Mësimi nga Drenasi, siç shihet, nuk pati efekt. Reflektimet në opinion nga ndonjë eksponent i lodhtë me ligjërata koti, apo nga z. Hamza që synon të barazoj shkakun dhe pasojën. Kjo nuk është rrugë për ta fuqizuar partinë as degën”, ka shkruar Lladrovci.
Lladrovci ka përsëritur kërkesën e tij për ridefinim të qasjes dhe metodave politiko-organizative, duke shtuar se nëse nuk bëhen këto ndryshime “bedelët” do të mbesin shenjë dalluese e PDK-së.
“Situata në PDK kërkon ridefinim të qasjes dhe metodave të veprimit politik dhe organizativ. Shkurtpamësinë politike do larguar nga partia e krijuar nga heronjtë tanë të luftës dhe paqes, duke përfaqësuar breza të tërë me përkushtim atdhetar, për Kosovën shtet me vlera euro-atlantike. Ndryshe, keqbërësit e bedelët politikë do të mbesin shenjë dalluese e partisë shteformuese dhe shtetndërtuese”, ka përfunduar Lladrovci.









