Kryetari i Skenderajt, Sami Lushtaku, dhe tetë të tjerë të akuzuar janë shpallur të pafajshëm nga akuza për frikësim të dëshmitarëve në rastin për krime lufte, të njohur si “Drenica”.
Të akuzuarit e tjerë të përfshirë në aktgjykimin e njëjtë të Gjykatës janë Ismet Haxha, Rrustem Rukolli, Rexhep Xhota, Fatmir Mjaku, Skender Tahiri, Bajram Dibrani dhe Sheremet Jashari.
Kryetari i Trupit Gjykues, Leon Përlaska, tha se “faktet në të cilat mbështetet aktakuza e Prokurorisë nuk janë vërtetuar nga asnjëra prej provave”.
Akuzat e ngritura nga Prokuroria kishin të bënin me veprat penale “Pjesëmarrja në një grup të organizuar kriminal”, “Pengim i dëshmisë apo procedurës zyrtare” si dhe “Frikësim gjatë procedurës penale”.
Sipas pikës së 17-të të aktakuzës, Sami Lushtaku, Ismet Haxha, Skender Tahiri, Sheremet Jashari dhe Bajram Dibrani ngarkoheshin se, në periudhën midis qershorit 2013 dhe shtatorit 2015, duke vepruar sipas një plani të dakorduar ndërmjet tyre, kanë detyruar dëshmitarin “F” të japë deklaratë të rrejshme në shqyrtimin kryesor në rastin P.938/13, fillimisht duke e kërcënuar dëshmitarin, e më pas duke i dhënë atij para në vlerë prej së paku 109 mijë eurosh, në këmbim të mohimit të deklaratës së dhënë në procedurën paraprake, në të cilën ai kishte dhënë prova të fuqishme fajësuese kundër Sami Lushtakut dhe Ismet Haxhës. Si rezultat i deklaratave të tij të rrejshme në gjykim, sipas aktakuzës, është penguar procedura penale dhe është çuar në lirimin e të pandehurve nga akuza.









