Është korrik i vitit 2026.
Në një proces gërmimi tejet delikat, nuk la kush nga kabineti i Albin Kurtit që nuk doli në terren.
Deklarata të shkurtra nga Albulena, Xhelali dhe Donika.
Madje, në disa raste, u dhanë edhe detaje për procesin pa aprovimin e institucioneve që po e udhëhiqnin atë.
Prokurorisë Speciale.
E pas gati tri vitesh hetime, rezultati ishte i jashtëzakonshëm.
Në Zubin Potok u gjetën mbetje mortore të 23 personave.
Dyshimet e para ishin se ato mund t’u përkisnin anëtarëve të të ashtuquajturit “Grupi i Intelektualëve”, persona që ishin zhdukur më 19 prill 1999.
Por ndërsa hetimi po vazhdonte, një tjetër betejë po zhvillohej publikisht, ajo për meritat e këtij zbulimi.
Ekzekutivi vazhdimisht përpiqej ta lidhte këtë rezultat me veprimet e institucioneve të Qeverisë.
“Zbulimi i tri varrezave masive ka ardhur si rezultat i një hetimi intensiv të institucioneve tona, të cilave u ka paraprirë shtrirja e sovranitetit të shtetit edhe në veriun e vendit tonë, sundimi i rendit të ligjit, bashkëpunimi ndërinstitucional si dhe ai qytetar-institucione të Kosovës”, kishte deklaruar Ministri i Punëve të Brendshme.
Por hetimi nuk përfundoi me gjetjen e mbetjeve mortore.
Gjatë analizave forenzike, njëri prej personave të zhdukur gjatë luftës në Kosovë, Idriz Rrecaj, u identifikua mes mbetjeve të gjetura.
Dhe pikërisht kur identifikimi po i jepte një emër njërit prej të zhdukurve, rasti hyri në një fazë tjetër.
Me urdhër të Prokurorisë Speciale, nëntë persona u arrestuan nën dyshimin për përfshirje në krime lufte të kryera në Kosovë.
Prapë e njëjta sagë.
Vartës të Albin Kurtit e mbështetën këtë hap por duke mos e përmendur askund Prokurorinë Speciale.
Por si të përkrahet dikur kur gjatë krejt qeverisjes së tyre e sulmuan barbarisht këtë institucion.
Madje, veç pse ishin pikërisht këta, Blerim Isufaj me prokurorë të tjerë në aktakuzën historike të ngritur për masakrën e kryer nga forcat serbe në lagjen e Jasharëve në Prekaz më 5, 6 dhe 7 mars 1998, nuk reagoi e as nuk e përshëndeti askush nga Qeveria.
Çfarë turpi.
Por ndoshta ka ardhur koha që Qeveria e Kosovës ta kuptojë se roli i saj nuk është të marrë meritat për punën e institucioneve të pavarura, por të krijojë kushtet dhe strategjitë që ua lehtësojnë atyre punën.








