Gjykata pritet të lëshojë urdhërarrest për deputetin e Vetëvendosjes, Egzon Azemi. Kjo pasi që i njëjti nuk është paraqitur në seancën e sotme për rastin ku ai akuzohet për nxitje të urrejtjes dhe përçarjes. Gjyqtari, Kushtrim Shyti, pasi konstatoi mungesën e Azemit tha se ndaj tij do të lëshohet urdhërarrest.

“Nuk ka kushte për t’u mbajtur seanca, andaj merr aktvendim: seanca e sotme e paraparë të mbahet në ora 9:30 nuk do të mbahet, e njëjta caktohet për në ora 13:15, ku për të pandehurin Egzon Azemi gjykata do të lëshojë urdhërarrest”, deklaroi Shyti.

Sipas aktakuzës, tash zëdhënësi i Qeverisë, Arlind Manxhuka dhe aktualisht deputeti i Vetëvendosjes, Egzon Azemi, akuzohen se me dashje kanë kanosur të dëmtuarit, gjykatësin e Gjykatës Themelore në Prishtinë – Departamenti Special, Mentor Bajraktari dhe prokurorin special, Afrim Shefkiu.

Të njëjtit, sipas organit të akuzës, përmes rrjetit social “Facebook” me dashje kanë përhapur dhe nxitur urrejtje dhe mosdurim ndaj viktimave, të cilët në cilësi të personave zyrtarë më 28 dhjetor 2022 kishin marrë vendim për ndryshimin e masës së paraburgimit kundër të dyshuarit, Dejan Pantiç.