Kur Vetëvendosje e hapi fushatën për zgjedhjet lokale në Sheshin “Skënderbeu” në Prishtinë, Dimal Basha, Kryetar i Kuvendit, ishte aty në rresht të parë.
Por kjo ishte një nga rastet e rralla kur ai u pa në krah të Kurtit gjatë fushatës nëpër Kosovë.
Në të gjitha postimet e Vetëvendosjes në Facebook shihet se, në tubimet më masive të fushatës nëpër komuna, paraqitet vetëm Kurti – herë pas here i shoqëruar nga ndonjë deputet apo ministër.

Ai s’u pa as në Shtime e Kaçanik, që janë komuna të regjionit prej nga vjen ai.



Basha shihet me Kurtin vetëm në Ferizaj, në një tubim më të madh, dhe më pas në disa takime të vogla në kafiteri, kryesisht në këtë qytet – por pa prezencën e kreut të VV-së.



Edhe në profilin e tij në Facebook, Dimal Basha nuk ka publikime nga aktivitetet e fushatës -ndryshe nga ajo që bën kreu i VV-së.
Dimal Basha u zgjodh Kryetar i Kuvendit të Kosovës më 26 gusht, duke marrë 73 vota, me mbështetjen e PDK-së dhe AAK-së, si përpjekje për ta zhbllokuar Kuvendin.
Ditën kur ai u zgjodh, Albin Kurti dukej nervoz dhe në sallë nuk u pa në asnjë moment t’i zgjaste dorën për urim.
Më pas, as ai dhe as zyrtarë të tjerë të lartë të VV-së nuk publikuan asnjë deklaratë urimi në faqet e tyre.
Para pak ditësh, Basha u gjend në një situatë të sikletshme kur, në ceremoninë e ndërrimit të komandës në KFOR, nuk po gjendej një karrige për të nga protokolli.
Madje, atij nuk iu bë vend në rreshtin e parë, bashkë me krerët e institucioneve të tjera, Vjosa Osmani dhe Albin Kurti.
Për më tepër, presidentja e vendit, Vjosa Osmani, nuk lëvizi nga vendi kur ai ia zgjati dorën dhe e injoroi gjatë kohës që ai qëndronte në këmbë, në pritje të gjetjes së ulëses./vox