Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka thënë se Gjuha Shqipe në Maqedoni të Veriut nuk është opsionale. Ai ka theksuar se shqipja është gjuhë autoktone që nuk kanë mundur “ta ndalin as kralat e sulltanët”.
Këto komente, Haradinaj i ka bërë përmes një postimi në Facebook, duke shprehur mbështetje për protestën e studentëve shqiptarë në Maqedoni të Veriut, që do të mbahet të hënën, ku do të kërkohet që provimi i jurisprudencës të mbahet edhe në gjuhën shqipe.
“Gjuha shqipe në Maqedoninë e Veriut nuk është opsionale. Është gjuhë autoktone, gjuhë e këtij trualli, që nuk kanë mundur ta ndalin as kralat e as sulltanët. Ajo ka mbijetuar brez pas brezi, në familje, në shkolla, në këngë e në sakrifica”, shkroi Haradinaj.
Kreu i AAK-së potencoi se shqipja “është e garantuar me Kushtetutë dhe me të drejtën e patjetërsueshme të çdo shqiptari për të folur shqip në vendin e vet, për të studiuar shqip, për të shkruar, menduar dhe për të marrë frymë shqip pa frikë e pa kompromis”.
Ai theksoi se studentët shqiptarë “sot nuk po kërkojnë privilegje, po kërkojnë dinjitet, barazi dhe respekt për identitetin e tyre”.
“Me zemër, me shpirt dhe me krenari jam me ju nesër, studentë shqiptarë në Maqedoninë e Veriut. Zëri juaj është zëri i çdo shqiptari që nuk pranon të heshtë përballë padrejtësisë”, përfundoi ai.
Protesta është thirrur nga studentët e tri universiteteve shqiptare në Maqedoni të Veriut: Universiteti i Tetovës, Universiteti “Nënë Tereza” dhe Universiteti i Evropës Juglindore.
Protesta do të fillojë në ora 16:30 para Urës së Gurit në Shkup.
Studentët shqiptarë për arsyen e njëjtë kishin protestuar edhe më 6 prill.









